Arber Zaimi

Posts Tagged ‘De Andre’

Okulisti

In Përkthime, Vjersha on 6 Shkurt, 2017 at 16:49
Marcel Duchamp - Riosh i trishtuar në një tren, 1911

Marcel Duchamp – Riosh i trishtuar në një tren, 1911

Daltonikë, presbitë, o lypsarë të shikimit

Okulisti juaj, tregtari i ndriçimit

Nga sot do pranojë vetëm klientë specialë

Që s’dinë më ç’të bëjnë me sytë normalë

 

S’jam më okulist, tash lente trafikoj

Dhe lumturinë nëpër sy e sajoj kësisoj

Madje dhe ata sy që s’dinë veç të kopjojnë

Le ta shpikin vetë botën ku do të kundrojnë

Pra ndiqini me mua këta sy që ëndërrojnë

Teksa i ikin orbitës dhe të kthehen s’pranojnë

 

Klienti i parë:

Shoh veten tek ngjitem për ta vjedhur diellin

që të mos ketë më netë

Që të mos bjerë më në rrjeta perëndimesh,

i kyçur në sy le të jetë

Kushdo që do mardhë prej qiellit pa diell

Vështrimi im ngrohtësinë do t’ia sjellë

 

Klienti i dytë

Shoh lumenjtë brenda në venat e mia,

detin duke kërkuar

I përmbytin shtretërit e brigjet dhe

gjejnë qiej për të fotografuar

Gjaku që rrjedh pa ndonjë fantazi

Bart vetëm tumore dhe melankoli

 

Klienti i tretë

Shoh xhandarë që kullosin,

gra të përkulura përmbi pikat e vesës

Gjuhët e kuqe me pjalmin e lules,

po ku është vallë bleta mëmë?

Ndoshta ka fluturuar tek çerdhet ku aurora rri,

ndoshta fluturoi, ndoshta më të fluturojë s’di

 

Klienti i katërt

Shoh miqtë që enden nëpër rrugë,

asgjë nuk i nxiton

Vjedhin prej gjumit gëzimin,

vjedhin natën prej agimit

E pastaj dritën, dritën që

transformon botën në një lojë

 

Kështu do t’i bëjmë syzet

Kështu do t’i bëjmë syzet.

De Andre

E diela e kufomave

In Përkthime, Vjersha on 2 Nëntor, 2016 at 14:42

Renato Guttuso - Turma, 1960

Renato Guttuso – Turma, 1960

Fabrizio de Andre

Tentoj t’ia mbath me tramvaj
rreth orës gjashtë kur agon
prej shishes së alkoholit
ku Milanoja lundron.

Nuk qe e vështirë ta ndiqnin
poetin e azilit të pleqve
shpirti i tij i ndezur
ndriçonte si fener teneqeje.

Ia dogjën shtratin
në rrugën e Trentit
mbërriti t’ia mbathte prej mjekrës së djegur
një gushëkuq i regjimentit.

Polakët s’vdiqën menjëherë
por të përgjunjur në semaforët e fundit
u ribënin grimin e kurvave të regjimit
që u nisën drejt detit.

Trafikantët e sapunëve
e rritën barkun drejt lindjes
atij që ndryshoi rrugë në nëntëdhjetën
ia shitën sapunin në nëntëdhjetenjëshin.

Majmuni i Rajhut të Katërt
kërcente polka përmbi mur
e ndërkohë që ngjitej
na tregoi të gjithëve bythën e zhveshur.

Piramida e Keopsit
atë ditë feste dëshiroi të rindërtohej
gur pas guri
skllav pas skllavi
komunist pas komunisti.

Të dielën e kufomave
nuk u dëgjuan të shtëna.
një gaz qesharak
mbuloi rrugët.

E diela e kufomave
i mori me vete gjithë mendimet
dhe mbretëreshat e tua culpa-s
u dyndën tek parukierët

Në atdheun-burg plot diell
në sekondthin e dytë
i thanë mustaqelyrës që ishte i pari
zbatoje detyrën nesër, kur mëngjesi të lindë
dhe u dërguan korrierë
kalorësit, kuajt, zagarët dhe gomari
që lajmëruan se ia prenë këmbën
Renato Kurçios
karbonarit.

Ministri i stuhive
me një fanfarë trombash të pashoqe
uronte demokraci
me një peshqir në duar e me duart përmbi koqe.

– Dua të jetoj në një qytet
ku në orën e aperitivit
të mos ketë derdhje të gjakut
e as të detersivit…

Në mbrëmje vonë unë me kushëririn tim De Andrade
ishim të fundmit qytetarë të lirë
në këtë të famshmin qytet “civil”
se ne e kishim një pushkë fshehur në tavan.

Të dielën e kufomave
askush s’është prerë.
Të gjithë në funeralin
e idealit të ndjerë.
Të dielën e kufomave
u dëgjua një brohorimë
“sa e bukur është rinia”
më s’e donin pleqërinë.

Udhëtarët e fundit
u tërhoqën nëpër katakomba
ndezën televizorin e na panë tek këndonim me mall
për rreth gjysmë ore
pastaj na çuan në djall.

Ju që keni kënduar mbi piedestalë apo me gjunjë në tokë
me pianofortat tuaja, të veshur si pinokë
ju që keni kënduar për longobardët e për centralistët
për Amazonën e për pasurinë
në pallatet e modës
dhe tek murgjit maristë
ju keni zëra të fuqishëm
gjuhë të stërvitura për të rrahur tamburë
ju kishit zëra të fortë
të përshtatshëm për në pidh të s’ëmës.

Të dielën e kufomave
ekspertët e nostalgjisë
shoqëruan mes flautëve
kufomën e utopisë.
E diela e kufomave
ish një e dielë shumë e zakontë
një ditë më vonë u shfaqën shenjat
e një paqeje që rëndonte.

Ndërsa zemra e Italisë
nga Palermo gjer n’Aostë
fryhej në një kor
që gërvinte n’protestë…

Në të prefshin copa-copa

In Përkthime, Vjersha on 31 Tetor, 2016 at 17:12
Wolfgang Paalen - Eroun, 1944

Wolfgang Paalen – Eroun, 1944

Fabrizio de Andre

Në të prefshin copa-copa
ato kish për t’i mbledhur era
lëkurën kish për të ta endur mbretëri e merimangave
dhe hëna do t’i endte flokët dhe fytyrën
me pjalmin e perëndisë,
të perëndisë nurin.

 

Të gjeta përgjatë lumit
tek bëje muzikë me gjethe lulesh,
tek këndoje fjalë të lehta, fjalë dashurie,
shijova buzët e tua si mjaltë i kuq, i kuq,
të thashë ti me jep atë që do e unë të jap ç’të mundem.

 

Trëndafil i verdhë, trëndafil i bruztë,
kurrë s’pata vallëzuar kaq gjatë
përgjatë fillit të natës e përmbi gurët e ditës,
unë i bija kitarës, unë i bija mandolinës
e në fund u shtrimë të dy mbi togjet e sanës.

 

Të humba për shumë, të humba për pak,
të mora seriozisht, të mora me shaka,
s’mbeti shumë për të thënë a për të menduar
fati buzëqeshte si një qiell në pranverë
flokët e shprishur prej mbrëmjes me erë.

 

E tani do ta pres të nesërmen
për të ndjerë nostalgji
o zonja Liri, o zonjusha Anarki
kaq e shtrenjtë sa vera, aq falas sa trishtimi
me renë tënde të bukurisë e të dyshimit.

 

Të gjeta në një stacion,
tek ndiqje parfumin tënd,
kapur në grackë brenda një tailleur-i të hirtë si tymi,
me gazetat në njërën dorë, në tjetrën fatin që të priste,
ecje krahë për krahë me atë që do të të vriste.

 

Po në të prefshin copa-copa
ato kish për t’i mbledhur era,
lëkurën kish për ta qepur mbretëri e merimangave,
dhe hëna do t’i endte flokët dhe fytyrën
me pjalmin e perëndisë,
të perëndisë buzëqeshjen.

 

Hotel Supramonte

In Përkthime, Vjersha on 31 Tetor, 2016 at 00:56
Meret Oppenheim - Zonja e gurtë, 1938

Meret Oppenheim – Zonja e gurtë, 1938

Fabrizio de Andre

Nëse shkon
në Hotel Supramonte
dhe sheh qiellin,
do të shohësh
një grua në flakë
e një burrë të vetmuar
dhe një letër,
të vërtetë në muzg,
të rreme në agim,
pastaj falje,
akuza dhe falje
pa kthim.
E tash udhëton
qesh, jeton,
apo përhumbesh
me rregullat e tua diskrete
brenda në zemër.

Po ku është?
Ku është dashuria jote?
Po ku është?
Ka marrë fund dashuria jote.

 

Falë zotit
kam një gojë për të pirë
dhe s’është e lehtë.
Falë teje
kam një varkë për të shkruar,
kam një tren për të humbur
dhe një ftesë
për në Hotel Supramonte
ku kam parë dëborën
mbi trupin tënd,
kaq të ëmbël urie,
kaq të ëmbël prej etjes.
Do kalojë
edhe kjo stinë
pa sjellë ndonjë lëndim.
Do kalojë
edhe ky shi i lehtë
siç kalojnë dhe dhimbjet.

Po ku është?
Ku është zemra jote?
Po ku është?
Ka marrë fund zemra jote.

 

Tani ulem
në shtratin e pyllit
që tashmë mban emrin tënd.
Tani koha
është një zotni i hutuar,
është një fëmijë i fjetur.
Po nëse zgjohesh
e prapë ke frikë,
jepma sërish dorën,
ç’rëndësi ka
nëse jam i rënë,
nëse jam larg.
Se e nesërmja do jetë
një ditë e gjatë
dhe e pa fjalë.
Se e nesërmja do jetë
një ditë e paqartë,
me re e me diell.

Po ku është?
Ku është dashuria jote?
Po ku është?
Ka marrë fund dashuria jote.

 

Dimër

In Përkthime, Vjersha on 5 Mars, 2015 at 19:03
Kosovë, borë

Kosovë, borë

Lartohet mjegulla mbi fusha t’zeza

Si qiparisët përmbi varreza

Një këmbanore që s’ngjan e vërtetë

Ndan me sinor tokën nga retë.

 

E ti që do të shkosh, përse nuk rri

Mjegulla nesër davaritet përsëri

Rishtaz do lulëzojë galdimi i vjetër

Me flladin e nxehtë të beharit tjetër.

 

Gjer edhe drita vdes prej errësimit

Nën hijen e pasigurt të vetë shndërrimit

Ku agimet bëhen mbrëmje të mbyllta

Dhe f’tyrat ngjajnë me rrashta të dyllta

 

E ti që do të shkosh, përse nuk rri

Dhe bora nesër do vdesë përsëri

 

Dashuria rrëshqanthi do vijë pranë dorës

Në stinën e bukur të luleborës.

 

Toka e lodhur, nën borën e qashtër

E fle në heshtje një gjumë të ashpër

Lodhjen e grumbulluar n’dimër nxjerr jashtë

Prej mijëra shekujsh, që nga agu i lashtë.

 

E ti që rri, ti përse s’shkon

Një tjetër dimër nesër afron

Sërish vjen bora në fushat e zeza

Prapë zbardh ngushëllimi përmbi varreza.

 

F. De Andre

Do të të pyesin për dashurinë

In Përkthime, Vjersha on 16 Dhjetor, 2014 at 20:19

De Andre

Pa të lënë kohë të kapërcesh habinë

Do të të pyesin për neve dhe për dashurinë

Atyre që i ka vjetëruar pasja të drejtë

Një dashuri aq të gjatë

Mos ua dhuro aq shpejt…

 

Mos i stërhap buzët që të rrjedhin tej fjalët

Buzët e tua aq të kursyera në fantazitë e dashurisë

Pas dashurisë kaq të sigurta kur strehohen te “përgjithnjë-të”

Në hipokrizinë e “kurrë-ve”

 

S’ia dola mbanë të të ndryshoj

S’më ke ndryshuar, ti e di.

 

Pas mikrofonit do të shihesh e pasqyruar

Do të bëhesh më e bukur, do më mendosh

të moshuar

Dhuroju atyre një hile që me mua s’e bëje

Dhe ata do habiten

Se si nuk më mjaftoje,

 

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Fëminia e Mërisë

In Përkthime, Vjersha on 21 Maj, 2014 at 00:13
Martesa e Mërisë me Josifin

Martesa e Mërisë me Josifin

Fabrizio de Andre

 

Kori:

Laudate dominum

Laudate dominum

Laudate dominum

 

Zëri:

Ndoshta qe ora nëntë, ndoshta qe ora tre

Ca zambakë qëndisur përmbi veshjen e re

Mbase patën nevojë, a më keq, të bënë shembull

Morën tre vjetët e tua dhe i çuan në tempull

Morën tre vjetët e tua dhe i çuan në tempull…

 

S’ish më sisa e Anës brenda muresh diskrete

Të ta pushonte qarjen, të ta shuante etjen

Thonë se orët ti rrëfente engjëlli i motit

Që ta maste kohën mes ushqimit dhe Zotit

Që ta maste kohën mes ushqimit dhe Zotit.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Balada e të varurve

In Përkthime, Vjersha on 24 Mars, 2014 at 19:10

Të gjithë që vdiqëm të vjerrëvillon_06

E gëlltitëm të mbramen fjalë

Duke hedhur shkelma n’erë

Pamë dritën të shuhej ngadalë

 

Një klithmë diellin e shtangu

Ajri u bë i shtrënguar

Ca fjalë-kristal si akull

E fundit blasfemi e shqiptuar

 

Para se të na vinte fundi

I kujtuam kujt gjallë ka mbetë

Se një dëm që u bë në pak çaste

U desh ta paguajmë me jetë

 

Pastaj rrëshkitëm në ngricën

E vdekjes që s’mund t’i shpëtosh

Duke recituar betimin e lashtë

E kujtdo që gjakhumbur shkon bosh

 

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Në ballon me maska

In Përkthime, Vjersha on 5 Prill, 2012 at 12:27

Wall (Wand), 1994 - Gerhard Richter

Krisht i droguar prej sa e sa mposhtjesh

dorëzohet edhe pranon

Nobelin që i ofron prakticiteti

çmimin e parashikuar për mirësinë.

 

Maria, e injoruar nga një Edip tashmë i rrjedhur

përqesh nostalgjinë e kohës kur lindi

e unë me bombën time sjell një risi

bombën që debuton në shoqëri

në ballon me maska të njerëzve me rëndësi.

 

Dante në derë të Paolos dhe Francescas

spiunon këdo që në jetë ia kalon:

atypari dëgjon një histori të rëndomtë dashurie

që më vonë do ta shkruajë me një art perëndie.

 

Dhe rrugën drejt ferrit pra bëje i vetëm

me zilinë e fundit braktisur aty, nën çarçaf

nemitur në derën e një lumturie

bomba e kursen gjendjen normale

në ballon me maska të njerëzve me rëndësi.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »